Burgu i Rrogozhinës përfshihet nga flakët
21 persona u dërguan të premten në mbrëmje me urgjencë në spitalet e Kavajës dhe Durrësit, pas një zjarri që përfshiu qelitë e paraburgimit në burgun e Rrogozhinës. Pjesa më e madhe e të paraburgosurve u asfiksuan nga tymi që u përhap në ambjentet e brendshme të burgut. Shoqërimi i tyre për në spital u bë nga rojet e sigurisë dhe policia e Rrogozhinës. Një prej të paraburgosurve me probleme serioze të frymëmarrjes u mbajt në reanimacionin e spitalit të Durrësit, ndërsa një tjetër po trajtohet në repartin e djegieve të Qendrës Spitalore Universitare” Nënë Tereza në Tiranë. Autoritetet e burgut deklaruan fillimisht se zjarri u provokua nga shpërthimi i një bombule gazi, ndërsa më pas u fol për një shkëndijë elektrikë në një prej qelive të paraburgimit. Por në njoftimin për shtyp të Drejtorisë së Burgjeve thuhet se shkaqet e zjarrit janë ende të paqarta dhe se po punohet për zbardhjen e tyre. Burime të pakonfirmuara thanë se zjarri në seksionet e burgut, është vënë nga vetë të paraburgosurit, të cilët kanë qenë të pakënaqur me kushtet e burgut. Dyshimet e para bien mbi dy të paraburgosur nga Fieri, të ndaluar për armëmbajtje pa leje dhe vjedhje. Në vendngjarje shkuan edhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve dhe drejtues të tjerë të lartë të këtij insttitucioni. Për shuarjen e flakëve u thirrën forca zjarrëfikse nga Lushnja, Rrogozhina e Kavaja. Zjarri mësohet se ka nxjerrë jashtë funksionit pothuajse gjithë seskionin e paraburgimit në Rrogozhinë, çka detyroi autoritetet të transferojnë rreth 78 të dënuar në burgun e Peqinit, nën shoqërimin e forcave Renea.