Flamurtari rrezikon zbritjen e pikëve, shkak bëhen pagesat e disa lojtarëve
Federata Shqiptare e Futbollit i kërkon Klubit të Futbollit Flamurtari të paguajë disa lojtarë, të cilët pretendojnë se nuk janë shlyer për marrëveshjet e tyre të mëparshme.
Afati i fundit për disa prej tyre ishte dita e premte. Administratori i klubit vlonjat, Sinan Idrizi thotë se po shtyhet të kryejë një pagesë të parregullt.
Sinan Idrizi, administrator i KF Flamurtari:
Kemi komunikuar me FSHF-në për këtë çështje dhe i kemi kërkuar që të jemi larg ekonomisë informale. Ka ardhur një kërcënim për minus 6 pikë.
Sinan Idrizi flet më konkretisht edhe për një rast.
Sinan Idrizi, administrator i KF Flamurtari:
Rasti më konkret është ai i futbollistit Franc Veliu. Ai është paguar në llogarinë e tij 28 mijë euro dhe 21 mijë euro në sigurime, nuk e di ku e gjejnë të drejtën për të kërkuar pagesa të tjera.
Flamurtari në këtë mënyrë rrezikon zbritjen e pikëve duke u bazuar te vendimet e komisioneve të FSHF-së.
Administratori i klubit vlonjat thotë se për këto çështje ka edhe korrespondencë me FIFA-n dhe thotë se gjithçka do të zgjidhet duke respektuar ligjet.
Probleme ka edhe me pagesat e këtij sezoni, që drejtuesit e klubit vazhdimisht kanë thënë se do të gjejnë zgjidhje./ TV KLAN