Flet nëna që humbi dy fëmijët në aksident


Flet nëna që humbi dy fëmijët në aksident

20:00 19/05/2016

Asgjë s’mund ta ngushëllojë nënën e dy fëmijëve të humbur në aksidentin horror në Qerret të Kavajës.

Ajo qëndron në shoqërinë e dy grave të tjera, nënës dhe vjehrrës në shtëpinë dy katëshe në Plazhin e Durrësit.

Kurse i mbijetuari i aksidentit, një vjeçari që ndodhej i lidhur me rripin e sigurimit në sediljen e parë të makinës, kërkon vazhdimisht vëmendjen e familjarëve.

Silva Negollari është e përhumbur.

Në pak fjalët e saj mëson se, çdo sekond të ditës kujton momentin, ku sa hap e mbyll sytë, humbi dy fëmijët, 3 dhe 5 vjeç. Thotë se çdo gjë ndodhi befasisht.

Ajo thjeshtë i hapi krahun një tjetër mjeti, por hekurat e anësores e përfshinë makinën mes për mes.

Udhëtimi që i ndryshoi përgjithmonë jetën familjes Negollari, u bë pas insistimit të fëmijëve.

Dy netë me radhë, dy më të rriturit, duke qarë kishin këmbëngulur që nëna e tyre t’i çonte në Rrogozhinë. Për ta ishte udhëtimi i fundit.

Kaq mundi të fliste Silva Negollari, e cila u ndërpre nga bashkëshorti Sokoli.

Ai nuk pranon asnjë kamër. I zhytur në dhimbje, jashtë saj thotë se çdo fjalë është e tepër, pasi asgjë s’mund t’ia kthejë më fëmijët.

Ai beson ende se të vegjëlit e tij mund të ishin gjallë, nëse rruga do të ishte e plotësuar me elementët e sigurisë.

Megjithatë nuk do të merret nëpër dyert e gjyqeve. Nëse ka fajtor, le ta flasë Drejtësia, thotë Sokoli.

Aktualisht, për ngjarjen ndodhen në burg tre zyrtarë të lartë të ARRSH.

Hetimet konkluduan se barrierat anësore, që nuk ishin vendosur në rrugë, për t’i lënë kalimin e lirë një subjekti privat, do mund të kishin mbrojtur familjen Negollari.

Tv Klan






Të ngjashme