Sulm me armë në aeroportin e Floridas, disa të vdekur


Sulm me armë në aeroportin e Floridas, disa të vdekur

19:36 06/01/2017

5 persona kanë humbur jetën dhe 13 të tjerë mbetën të plagosur, pas një sulmi me armë në aeroportin ndërkombëtar “Fort Lauderdale”, në Florida të Shteteve të Bashkuara.

Autoritetet vendase raportojnë se agresori është arrestuar nga policia lokale. Fillimisht alarmi për të shtëna në aeroportin e Floridas është dhënë nga ish-sekretari i shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Ari Fleischer.

Akoma nuk dihet nëse sulmi me armë është akt terrorist. Autoritetet kanë nisur hetimet për ngjarjen. Duke folur për CNN, senatori i Floridas, Bill Nelson tregoi se autori i sulmit është identifikuar si Esteban Santiago.

Ndërkohë, qindra pasagjerë dhe punonjës të aeroportit u evakuuan menjëherë pas sulmit. Mësohet se agresori filloi të qëllonte në terminalin 2 të aeroportit në seksionin ku merren bagazhet. Forcat e rendit pas kontrollit të terminaleve urdhëruan rihapjen e aeroportit

Ndaj sulmit ka reaguar edhe presidenti i zgjedhur Donald Trump me një mesazh në Twitwr. Ai shkruan se po informohet rreth asaj që ka ndodhur dhe i ka shprehur ngushëllimet e tij për familjet e viktimave. /tvklan.al






Të ngjashme