FMN: Ekonomia shqiptare në recension 5%
Gjithë bota zhytet në depresion ekonomik
Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se ekonomia shqiptare këtë vit do të jetë në recesion, duke pësuar një rënie të ekonomisë me 5%, për shkak të pandemisë së Covid-19.
Kjo është rënia më e madhe e ekonomisë sonë që prej vitit 97’, ku ekonomia u tkurr me 10.9%.
Megjithatë Fondi vlerëson se vitin e ardhshëm ekonomia e vendit tonë do të rritet me normën 8%, duke kompensuar humbjet e këtij viti.
Në të njëjtën normë me Shqipërinë do bjerë dhe ekonomia e Kosovës dhe Bosnjë Hercegovinës, me 4% ajo e Maqedonisë së Veriut, me minus 3 është rritja e Serbisë ndërsa në Malin i Zi ekonomia do të bjerë me 9%.
Zhytje në recension do të kenë dhe dy partnerët kryesorë tregtarë të vendit tonë, Italia do të tkurret me -9.1% dhe Greqia me -10.
Përjashtim nuk do të ketë asnjë vend i Eurozonës, ekonomia e të cilës tkurret këtë vit me 7.5%, ndërsa SHBA-të do të pësojnë një rënie prej 5.9%.
Shtetet e vetme në vendet me ekonomi të zhvilluar që nuk do të kenë recesion janë Kina dhe India, të cilat do të rriten më pak se një vit më parë, por me norma pozitive 1.2 dhe 1.9%.
Raporti vlerëson se kjo është kriza më e madhe që ka goditur globin që prej Depresionit të Madh, ku recesioni në të gjithë globin do të jetë 3%, për të nisur rimëkëmbjen vitin e ardhshëm.
Tv Klan