Forumi i Budapestit Nano-Berisha – (5 Prill 2000)
Arkiva Lajme – Tv Klan 2000
Ka rënë poshtë mundësia që kryetari i PS Fatos Nano dhe kundërshtari i tij Sali Berisha të udhëtonin bashkë me një avion drejt Budapestit, ku do të zhvillohet forumi “Shqiptarët dhe fqinjët e tyre në mijëvjeçarin e ri”, organizuar nga fondacioni amerikan “Projekti i relacioneve etnike”.
Mësohet se në një takim me ambasadorin Limpreht e zhvilluar sot, kryetari i PD e ka justifikuar mosvajtjen e tij në këtë aktivitet rajonal me faktin se në datën 8 të këtij muaji do të mbahet kuvendi i forumit rinor të Partisë Demokratike. Anullimi që i bën Berisha vajtjes në Budapest, vjen edhe si rrjedhojë e faktit se në këtë udhëtim Berisha do të ishte i shoqëruar vetëm nga kundërshtar dhe në krah të tij ai nuk do të kishte asnjë aleatë.
Forumi “Shqiptarët dhe fqinjët e tyre në mijëvjeçarin e ri”, organizuar nga fondacioni amerikan “Projekti i relacioneve etnike”, ka për qëllim të evidentoj rolin e shqiptarëve në ballkan. Cili është vendi i tyre në ballkan pas përfundimit të luftës së Kosovës? Ky është misioni që organizuesit e kësaj konference kërkojnë të mësojnë tashmë që kanë dëgjuar edhe aktorët kryesor të politikës shqiptare./tvklan.al
Gazetare – Mimoza Picari