Foto/ Aksidenti me 4 viktima, Policia: Faji i rrugës, gomat ishin të konsumuara
Ekspertët e policisë rrugore në Shkodër kanë dhënë shkaqet e para, që shkaktuan aksidentin me katër të vdekur në vendin e quajtur Hidrovori, në Velipojë.
Sipas policisë ky segment rrugor, është në ndërtim e sipër dhe në pjesën ku makina tip BMW ka dalë nga rruga, përfundon asfalti, dhe pastaj fillon dhe një kthesë prej 90 grade përgjatë kolektorit të Hidrovorit. Në këtë pjesë, rruga është e pashtruar dhe kjo kthesë është e mbushur me materiale inerte. Ky segment rrugor nuk është i pajisur me sinjalistikën e nevojshme rrugore, i pandriçuar, i paasfaltuar dhe i pambrojtur për pjesën më të rrezikshme të kthesës për të njoftuar përdoruesit e rrugës për vijueshmërinë e këtij segmenti. Sipas ekspertëve nga këqyrja e mjetit, me të cilin po udhëtonin viktimat e këtij aksidenti, rezulton se gomat e pasme te mjetit ishin të tejkonsumuara ku dallohen dhe thellimet e batistradës të cilat ishin rrafshuar pothuajse deri në daljen e telave të gomave. Në 1 maj të viti 2016 po në këtë kthesë ka ndodhur edhe 1 aksident tjetër, identik, me pasojë vdekjen./tvklan.al