Foto/ “Bisha nga Lindja” shkakton kaos në Britani
Mijëra pushues kanë humbur fluturimet si pasojë e kaosit të shkaktuar nga “Bisha (e vogël) nga Lindja” që ka goditur Britaninë e Madhe.
Sipas mediave ishullore, më shumë se 10 000 udhëtarë janë bllokuar në aeroport ku 146 fluturime për dhe nga Aeroporti i Heathrowt janë anuluar mëngjesin e së dielës, si pasojë e kushteve atmosferike. Më të ndikuarit janë udhëtarët e “British Airways”, kompani e cila ka anuluar 64 fluturime. Kaos është përjetuar gjithashtu edhe në shumë rrugë të Britanisë, ku janë shkaktuar aksidente si pasojë e reshjeve të dëborës. Britanikëve u është kërkuar të qëndrojnë larg rrugëve në disa pjesë të vendit, ku trashësia e dëborës ka arritur në 30 cm ndërsa temperaturat kanë zbritur në – 8 gradë Celsius. Sinoptikanët kanë parashikuar se me mot të vështirë do të përballen pjesë të tëra në veri-perëndim të Anglisë, përfshirë Yorkshiren, Midlands dhe kryeqytetin Londër. Kjo është herë e dytë brenda këtij viti që rryma siberiane me mot të ftohtë dhe reshje dëbore godasin vendin ishullor. /tvklan.al