Foto/ Dy shqiptarë kapen me 4 kg kokainë dhe 18 mijë Euro


Foto/ Dy shqiptarë kapen me 4 kg kokainë dhe 18 mijë Euro

09:40 11/06/2017

Policia italiane ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme kokaine, e cila dyshohet se u përket dy shqiptarëve.

Ilir Limushaj 32 vjeç dhe Denald Bibaj 20 vjeç ishin në paraburgim pasi u kapën me dokumente ta parregullta për të qëndruar në Itali.

Në stacionin e policisë ata u vizituan nga një vajzë rumune 22 vjeç. Stafi mbikëqyrës vuri re se njëri prej dy shqiptarëve i dha fshehurazi rumunes disa çelësa, e cila më pas u largua menjëherë.

Ky veprim ngjalli dyshime tek policia, e cila ndoqi 22-vjeçaren për të zbuluar se ku do të shkonte.

Vajza iu drejtua një apartamenti dhe gjatë përpjekjes për të gjetur çelësin e duhur të derës, ndërhyri menjëherë policia. Nga kontrolli në banesë u zbuluan 7 pako me drogë, që rezultuan të ishin 4 kg kokainë.

Gjithashtu, në raftet e kuzhinës u gjetën të fshehura një shumë parash prej 18 mijë Euro. Autoritetet italiane dyshojnë se droga u përket dy shqiptarëve, që ishin ndaluar më herë për emigracion të paligjshëm.

/tvklan.al






Të ngjashme