Foto/ Ish-prezantuesi i Top Gear përfshihet në aksident të rëndë
Ish-prezantuesi i Top Gear, Richard Hammond, ka pësuar një aksident të rëndë automobilistik gjatë xhirimeve në Zvicër për The Grand Tour, shfaqja e tij e re në Amazon.
47-vjeçari po bënte prova me një supermakinë elektrike Rimac me vlerë 2 milionë Paund para se të shpërthente në flakë. Një zëdhënëse tha se Hammond ka thyer kupën e gjurit por ishte me fat që nuk pësoi asnjë lëndim serioz në një aksident kaq të rëndë. "Richard ishte i vetëdijshëm dhe doli nga makina para se të merrte flakë", tha zëdhënësja e Amazon. Vet prezantuesi reagoi në rrjetet sociale duke konfirmuar aksidentin, "po... u përplasa, por jam mirë". Kolegu i tij, ish-drejtuesi kryesor i Top Gear Jeremy Clarkson shkroi në Twitter se "ishte aksidenti më i frikshëm që kishte parë ndonjëherë". Ndërkohë, shkaku i aksidentit të 47-vjeçarit mbetet i panjohur dhe po hetohet./tvklan.al