Foto/ “Pse i vrave? – E di vet unë me njerëzit e mi”
Edhe pse kërkohej nga 500 forca policore, Ritvan Zykaj komentonte në rrjetet e tij sociale. Deri në orën 23:00 të së premtes, 24-vjeçari që vrau 8 kushërinjtë e tij të fisit Zykaj, ishte aktiv në Facebook dhe Instagram.
Ai u përgjigjej komentuesve, madje edhe duke i ofenduar, të cilët e pyesnin përse bëri këtë krim. Qytetarë kanë dërguar në tvklan.al bisedën që Ritvan Zykaj bënte me komentuesit në Instagram.
“Juve s’ju hyn në punë”.
“Më desh **** juve s’ju duhet gjë”.
“Ç’a ju duhet juve ore”.
“E di vet unë me njerëzit e mi ore, ç’a keni ju”.
“Hej or Zot ç’a njerëzish që jeni”.
Këto janë disa prej përgjigjeve që Ritvan Zykaj ka kthyer në rrjetin e tij social në Instagram, ku komentuesit i shkruanin përse vrau të afërmit e tij. Edhe në Facebook ai ka qenë gjithashtu aktiv, duke kthyer përgjigje. Gjatë gjithë kësaj kohe, 24-vjeçari qëndronte i fshehur në periferi të Selenicës, pasi kërkohej nga uniformat blu. Deri rreth orës 23:00, Ritvan Zykaj ishte aktiv në rrjetet sociale, ndërsa më pas mbylli tërësisht adresën e tij në Facebook.
Rreth orës 05:00 të mëngjesit të së shtunës, Zykaj u zbulua nga policia i fshehur në një stan. I armatosur, ai hodhi armën tip Kallashnikov dhe u dorëzua pa kushte. Në momentin e arrestimit, i riu nuk shfaqi shenja pendese edhe pse vrau 8 kushërinj të tij të parë të fisit Zykaj, mes të cilëve edhe dy fëmijë.
/tvklan.al