Foto/ “Të paprekshmit”, targa AA 003 GB po vjen drejt Tiranës


Foto/ “Të paprekshmit”, targa AA 003 GB po vjen drejt Tiranës

08:28 27/01/2018

Qytetarë dhe mbështetës të Partisë Demokratike nga gjitha qytetet janë nisur mëngjesin e sotëm drejt Tiranës për të marrë pjesë në protestën e opozitës në orën 12:00.

Makinat me protestuesit e opozitës kanë vendosur targën simbol AA 003 GB, me mbishkrimet "të paprekshëm" dhe "narkoshteti". Kjo targë ka qenë e makinës Audi A8 që përdorte në vitin 2013 ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Sipas përgjimeve të Anti-Mafias italiane, automjeti Audi me targa AA 003 GB rezulton se përdorej edhe nga kushërinjtë Habilaj të ish-ministrit Saimir Tahiri, për të shmangur kontrollet në doganë.

Dyshimet janë se me këtë automjet të ministrit të Brendshëm të asaj kohe, është trafikuar lëndë narkotike. Përdorimi i makinës së ish-ministrit të Brendshëm me targën AA 003 GB nga banda e Habiljave u denoncua nga oficeri Dritan Zagani në Tetor të vitit 2015.

Partia Demokratike thotë se

"protestuesit mbajnë targën AA 003 GB për të treguar se kanabizimi i Shqipërisë ishte projekt politik i Edi Ramës, i cili vazhdon të jetë përfituesi kryesor i trafikut ndërkombëtar të drogës dhe mbrojtësi i tyre nga drejtësia".

Sot në orën 12:00 opozita e bashkuar do të protestojë përpara godinës së Kryeministrisë për të kundërshtuar qeverisjen e Kryeministrit Edi Rama. Kryetari i opozitës Lulzim Basha ka deklaruar se protesta do të jetë paqësore. Nga ana tjetër, Policia e Shtetit ka angazhuar rreth 2 mijë efektivë për mbarëvajtjen e protestës dhe u ka bërë thirrje protestuesve që të respektojnë uniformat blu.

/tvklan.al






Të ngjashme