Foto-Video/ Kjo është gomonia e kapur me 18 milionë euro drogë
Policia italiane ka bërë publike pamje nga droga e sekuestruar natën e së premtes në zonën e Ankonës në Itali. 5 shqiptarë tashmë të arrestuar kishin arritur të sillnin në brigjet italiane 1,8 ton kanabis në bordin e kësaj gomoneje mjaft të fuqishme.
Operacioni u krye në afërsi të grykëderdhjes së lumit Metauro. Policia vuri re që 2 persona me një makinë “Alfa Romeo” u fshehën në një kallamishte dhe filluan të bënin shenja me lazer në drejtim të detit. Rreth 30 minuta më vonë erdhi edhe një kamion.
Në breg është afruar një gomone dhe me shpejtësi, dy persona shkarkonin drogën nga gomone dhe dy të tjerë e ngarkonin me shpejtësi në këtë kamion.
Në mes të kësaj ka ndërhyrë policia, e cila ka kapur në befasi 5 trafikantët. Ata kanë tentuar të largohen, por janë neutralizuar shumë shpejt duke u prangosur.
Si provë materiale është sekuestruar sasia rekord e drogës e ndarë në disa pako. Gjithashtu janë sekuestruar gomonja, kamioni, një makinë dhe 1 mijë litra benzinë që do të përdorej nga gomonia për t’u kthyer mbrapsht në brigjet e Ballkanit, pasi ende nuk dihet nga është nisur ajo.
Autoritet italiane nuk japin emrat e të arrestuarve dhe as origjinën e kanabisit, por dyshimet e para janë që gomonia të jetë ngarkuar në Shqipëri. / Tv Klan