Foto-Video/Kakavijë, kapen me 16 kg drogë, dy të arrestuar
Brenda 12 orëve policia ka goditur dy raste të trafikut ndërkombëtar të drogës, si dhe ka arrestuar dy persona.
Në pranga mësohet se kanë rënë Florian Gjoni, 29 vjeç banues në Fier dhe Flamur Omeri , 64 vjeç, banues në Patos.
Burimet policore bëjnë me dije se në datë 09.07.2016 në orën 20:25 nga Shërbimet e Policisë Kufitare Kakavijë u evidentua një rast i trafikimit të lëndëve narkotike. Gjatë kontrollit në vijën e dytë të autobusit të linjës Tiranë – Athinë, në bagazhin e tij u konstatua një mobilje (tavolinë), brenda së cilës ishte krijuar një vend i fshehtë, ku u gjetën 6 pako të mbështjella me natriban, gjithsej 6.8 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa.
Sipas policisë Florian Gjoni rezulton punonjës i agjencisë. Ai e kishte nisur porosinë me autobus, të cilën pretendon se e ka marrë nga një shtetas tjetër të cilin nuk e njihte.
Gjithashtu po në Kakavijë, pas disa orëve Policia Kufitare goditi një tjetër rast të Trafikimit të lëndëve narkotike. Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë në automjetin tip ‘CADDY’ me targa AA 458 NV, që drejtohej nga shtetasi Flamur Omeri , 64 vjeç, banues në Patos, punonjësit e Policisë Kufitare kanë konstatuar në gomën rezervë dhe në brendësi të dy parafangove 14 pako të mbështjella me natriban me peshë 9.2 kg, lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa.
Pesha totale e lëndës narkotike për të dyja rastet është 16 kg kanabis sativa, ku së bashku me automjetin ‘CADDY’ u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Veprimet proceduriale për arrestimin e dy shtetasve të sipërpërmendur u kryen nga Specialistët Kundër Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda Tiranë për veprën penale “Trafikim të lëndëve narkotike “./tvklan.al