Franca drejt rimbylljes


Franca drejt rimbylljes

18:36 29/08/2020

Në Gjermani protesta kundër masave anti-Covid

Për të dytën herë radhazi Franca ka shënuar një rekord të infektuarish. Në vetëm 24 orë 7379 persona janë regjistruar si bartës të virusit Covid-19, një shifër kjo shumë herë më e lartë që kur pandemia u përhap në Mars.

Në një konferencë për shtyp, Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se ekziston mundësia e një rimbyllje tjetër nisur nga shtimi i rasteve gjatë këtyre dy ditëve të fundit.

Sipas kreut të Elizesë, tashmë ka ardhur koha që të ndalet një tjetër tragjedi, nga ku njoftoi edhe ashpërsimin e masave dhe vendosjen e gjobave për këdo që shkel rregullat.

Ndërkaq Ministria e Shëndetësisë ka bërë thirrje që të rinjtë të tregohen më të përgjegjshëm dhe të zbatojnë higjienën pasi në spitale gjenden grupmosha të reja që kanë simptoma të rënda.

Një ditë më parë qeveria franceze e bëri të detyrueshme maskën në të gjitha ambientet publike dhe nëse nuk zbatohet gjoba parashikohet të jetë në 135 Euro.

Gjithashtu edhe fëmijët e klasës së parë si dhe në universitete do të duhet të mbajnë maskë. E njëjta masë për fëmijët në shkolla edhe në Spanjë, ku po ashtu ka shtim të ndjeshëm të infektimeve ditore.

Në Berlin mijëra persona kanë protestuar kundër masave izoluese. Demonstruesit me pankarta në duar kanë bërë thirrje qeverisë që të lejojë që jeta të zhvillohet normalisht.

Duke brohoritur “Kundër masave”, “Rezistencë”, protestuesit injoruan edhe mbajtjen e distancës fizike. Pa maska e pa doreza ata thyen të gjitha rregullat e vendosur nga qeveria.

Protestat vijnë në një kohë ku në Gjermani po shqyrtohet mundësia e marrjes së masave më të ashpra pas rritjes së rasteve. Po ashtu autoritetet nuk do të lejojnë tifozët në stadiume të paktën deri në fund të vitit, ndërsa fëmijët duhet të mbajnë maska në shkollë që nga klasa e parë.

Klan Plus






Të ngjashme