‘France Football’ publikon kandidatët për Topin e Artë, janë 30
France Football publikoi 30 emrat e futbollistëve, të cilët do të garojnë për Topin e Artë. Trofeu i çmuar do të ketë dy fituesit e viteve të fundit dhe pretendentët edhe kësaj here, Cristiano Ronaldo e Lionel Messi.
Ky i fundit u shtua në orët e mbrëmjes. Pjesa më e madhe e lojtarëve vijnë nga Europa dhe Amerika e Jugut, por nuk mungojnë edhe ata nga Afrika.
Riyad Mahrez dhe Pierre-Emerick Aubameyang kanë lindur në Francë, por veshin fanellat e përfaqësueseve të Algjerisë dhe Gabonit. Në listë janë edhe portierët, italiani Gianluigi Buffon, gjermani Manuel Neuer e francezi Hugo Lloris.
Të tjerë futbollistë me përvojë janë Zlatan Ibrahimovic, Andres Iniesta, Koke, Toni Kroos dhe Robert Lewandowski.
Këtë vit për futbollistin më të mirë do ta votojnë vetëm gazetarët sportivë, ndryshe nga herët e kaluara kur votonin edhe trajnerët e kapitenët e përfaqësueseve, kur çmimi ishte i përbashkët me FIFA-n. Fituesi do të shpallet në fund të muajit dhjetor./ TV KLAN