Francë – Gratë përbëjnë gjysmën e kabinetit të ri qeveritar
Presidenti francez Emmanuel Macron mblodhi për herë të parë sot kabinetin e tij të ri, një grup ministrash që duken shumë të ndryshëm nga paraardhësit e tyre.
Qeveria e re franceze përbëhet nga 22 anëtarë: disa figura të spikatura, dhe disa të panjohura, të të dy krahëve, të majtë e të djathtë. Gjysma e tyre janë gra.
Ata shkuan sot në Pallatin presidencial Elysee për mbledhjen e parë të kabinetit.
Anëtari më i moshuar i kabinetit është ministri i brendshëm, 69-vjeçari Gerard Collomb. Ai ka qenë për një kohë të gjatë kryetar i bashkisë së Lyonit, një socialist që luajti rol të rëndësishëm gjatë fushatës elektorale të Emmanuel Macronit.
Një tjetër 69-vjeçari, Jean-Yves Le Drian, ish ministër i mbrojtjes në qeverinë e mëparshme të Francois Hollande-it, në qeverinë e Macronit ka postin e rëndësishëm të Ministrit të Jashtëm dhe të Europës.
Ndërsa ministre mbrojtjeje është përfaqësuesja e partisë centriste, 52-vjeçarja Sylvie Goulard, e njohur për pikëpamjet e saj pro-evropiane./VOA