Frika nga bruceloza pushton vendin (19 Gusht 2000)
Bruceloza, sëmundja më e përfolur kohët e fundit, ka përfshirë jo vetëm kafshët, por tashmë dhe njerëzit. Që nga fillimi i vitit e deri tani, 60 raste janë ekzaminuar në qytetin e Korçës. Vetëm në muajin gusht 18 qytetarë korçarë janë shtruar në spital të infektuar nga mikrobi i brucelozës dhe kanë kërkuar ndihmën e parë. Mendohet se ata e kanë marrë sëmundjen nga përdorimi i qumështit të pakontrolluar që blihet çdo ditë nga fshatarët e zonave përreth.
Mes të sëmurëve ka dhe fëmijë të infektuar nga përdorimi i akulloreve. Bashkia e Korçës ka urdhëruar mbylljen e 11 dyqaneve që tregtojnë nënprodukte të qumështit. Mbi këtë situatë, tashmë të transmetuar në njerëz, kemi pyetur në Ministrinë e Shëndetësisë e cila ende nuk është e informuar. Sipas zotit Petrit Vasili kjo është një sëmundje rutinë e verës. Rastet kanë ekzistuar dhe sipas tij ato janë sporadike.
Ndërsa Ministria e Bujqësisë e cila ushtron kontroll mbi vaksinimin e kafshëve për mostransmetimin e brucelozës tek njeriu, e quajnë kompetencë e Shërbimit Veterinar. Ministri prononcohet për mosnjohje të situatës, ndërsa kryetari i Shoqatës së Konsumatorëve Islam Cani bën sondazhe dhe njeh çdo situatë në vend. Sipas tij rastet më të shumta janë në Gjirokastër dhe në Sarandë, por ka raste. Ai bën me dije se në të gjithë vendin tonë shitet qumështi në mënyrë të pa kontrolluar.
Dy ministritë përgjegjëse për parandalimin e situatave të tilla, ajo e Bujqësisë për cilësinë dhe e Shëndetësisë për sigurimin e produkteve në treg, informohen gjithnjë me vonesë dhe për pasojë dhe ndërhyrjet janë të tilla./tvklan.al
Gazetare: Holta Zhiti