Frikë nga mutacioni, Danimarka po shfaros nuselalat


Frikë nga mutacioni, Danimarka po shfaros nuselalat

22:00 10/11/2020

Danimarka po hedh miliona nuselale të ngordhura në varre masive, pas frikës se një mutacion i koronavirus që është zbuluar te ato, mund të ndikojë në efektin e vaksinës kundër Covid-19.

Mutacioni i ri i Covid-19, i gjetur te nuselalet është quajtur Cluster 5 dhe ka shkaktuar alarm të madh sepse ka potencial që të bëjë vaksinat jo-efektive, nëse përhapet në njerëz. Zyrtarët danezë po përpiqen ta zhdukin atë përpara se të përhapet në publikun e gjerë. Është bërë e ditur se deri tani me Cluster 5, janë infektuar 13 persona në Danimarkën veriore.

Fotot e publikuara nga DailyMail, shfaqin gërmues dhe kamionë të ndërtimit duke shkarkuar mijëra nuselale të ngordhura në varre masive, si dhe punëtorë me kostume mbrojtëse që spërkasin automjetet me dezinfektues.

Autoritetet daneze të mjedisit dhe shëndetit njoftuan se kafshët po varrosen në tokë ushtarake afër qytetit veriperëndimor të Holstebro, sepse nuk ka inceneratorë të mjaftueshëm për të djegur të gjithë kufomat.

Plani i Danimarkës për të zhdukur 17 milion nuselale në vend po përballet me pengesa. Megjithatë, pasi qeveria ka pranuar se nuk ka ndonjë bazë ligjore kundër, të paktën 2 milion prej tyre janë vrarë deri tani.

Shkencëtarët besojnë se virusi mutant ka kaluar fillimisht nga punëtorët e fermave te nuselalet dhe nga ato është përcjellur prapë te njerëzit, por gjatë procesit ka ndodhur mutacioni në një proteine të quajtur “spike”, të cilën koronavirus e përdor për të hyrë në qelizat njerëzore.

Është domethënës fakti se kandidatët kryesorë të vaksinave, përfshirë vaksinën e Pfizer, e cila u zbulua dje, krijohen duke synuar këtë proteinë. Megjithëse nuk ka asnjë provë akoma se ky lloji mutacioni mund të pengojë efektivitetin e vaksinave, vendndodhja e tij në proteinën “spike”,  teorikisht e bën të mundur./tvklan.al






Të ngjashme