Fshatrat e Korçës pa ujë – (4 Korrik 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
U bënë më shumë se dy muaj që në fshatrat e Lubonikut dhe Drithasit pranë qytetit të Maliqit ndihet mjaft mungesa e ujit të pijshëm. Të 4500 banorët e këtyre fshatrave për të shuar etjen dhe për të plotesuar nevojat për gatim detyrohen të mbushin ujë rreth 2 km larg banesave të tyre.
Mungesa e ujit është mjaft shqetësuese, ndaj dhe drejtuesit e komunës dhe kryepleqësit e fshatrave kanë trokitur shpesh pa marrë përgjigje në zyrat e pushtetit lokal në rreth dhe prefekturë. Qëkur Lubonik është shtuar me palate pesë dhe gjashtë katëshe rreth 15-20 vjet më parë mungesa e ujit ka qenë shqetësuese.
Në këto dy muajt e fundit afro 80% e apartamenteve nuk kanë patur asnjë pikë uji në rubinetat e tyre. Sipas pohimeve të vetë fshatarëve shkaktari i këtij problem të madh social janë bërë ndërhyrjet e shpeshta pa kriter në rrjet dhe furnizimi me ujë i nyjes së betonit greko-shqiptar.
I vetmi vend për të mbushur ujë për banorët e fshatravë që ndodhen në të dy krahët e rrugës Korçë – Maliq është kjo çezëm, e cila përveç largësisë mbart dhe padurimin e një morie njerëzish të etur./tvklan.al