FSHF heq policët nga stadiumet
Policia do të qëndrojë jashtë stadiumeve në sezonin që do të nisë të premten me ndeshjen Skënderbeu – Partizani.
Mbarëvajtjen e sigurisë në shkallët e stadiumeve do bëjnë rojet private, një praktikë që aplikohet prej vitesh në stadiumet e Europës.
Në takimin e mbajtur në Federatën Shqiptare të Futbollit iu kujtua edhe një herë përfaqësueseve të klubeve të Superligës se ambientet e brendshme të stadiumeve do të duhet të pajisen me kamera vëzhgimi.
“Duhet të komunikohet për numrin e tiozëve udhëtues”, tha Lysien Nurishmi, shef i sektorit të garave në FSHF.
“Policia duhet të ketë njerëzit e saj në dhomën e kontrollit për të ndërhyrë kur duhet”, tha Ilir Shulku, sekretar i përgjithshëm në FSHF.
Ndërsa Genc Tomori, zyrtar i Partizanit tha se “Duhet të ketë bashkëpunim mes klubit dhe tifozërisë, klubit dhe policisë që gjërat të zgjidhen.”
Temë e diskutimit ishte edhe rritja e numrit të lojtarëve të huaj në fushë. Aktualisht janë 4 dhe nga pjesa më e madhe e ekipeve kërkohet që të shkojë në 5. Vendimi do të merret nga Komiteti Ekzekutiv në mbledhjen e së enjtes. Edhe pse kampionati do të nisë më 17 Gusht skuadrat e Superligës do të kenë kohë të përforcohen deri në fund të këtij muaji.
Tv Klan