FSHF kërkon rifillimin e kampionatit


FSHF kërkon rifillimin e kampionatit

16:58 04/05/2020

Propozim qeverisë për aprovimin e protokollit shëndetësor

Federata e Futbollit bën një tjetër përpjekje për të bindur autoritetet qeveritare shëndetësore për rifillimin e kampionatit në Shqipëri. Me anë të një letre dërguar, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Sportit, si dhe Kryeministrit të vendit Edi Rama, FSHF propozon ngritjen e një grupi të përbashkët pune, për implementimin e një protokolli të rreptë për sigurinë shëndetësore.

Sipas FSHF, në një ndeshje mund të marrin pjesë deri në 165 persona, duke përfshirë futbollistët, stafet teknike, delegacionet e klubeve, gazetarët dhe teknikët për lidhjet direkte, si dhe forcat e sigurisë dhe ato të policisë.

Por FSHF ka detajuar edhe angazhimin e këtyre personave në orare të caktuara dhe sipas këtyre tabelave, maksimumi i personave që do të gjenden në një stadium në të njëjtën kohë, nuk do të jetë më i madh se 90.

FSHF propozon edhe protokoll shëndetësor edhe për zhvillimin e seancave stërvitore dhe masave higjienike, që duhet të zbatohen nga stafet dhe lojtarët. Veç të tjerave, FSHF propozon si masë shtrënguese ndalimin e intervistave të futbollistëve para dhe pas ndeshjeve.

Federata e Futbollit pret ende një përgjigje zyrtare nga qeveria nëse do të marrë ose jo në konsideratë rinisjen e kampionatit të futbollit në Shqipëri, në mënyrë që gara të mbyllet në fushë duke respektuar parimin e meritokracisë.

Tv Klan






Të ngjashme