Superliga shtyhet pa afat

Komiteti ekzekutiv i FSHF

Superliga shtyhet pa afat

17:08 10/09/2020

Federata pranon kërkesën e klubeve

Superliga e futbollit nuk do të nisë më 12 Shtator. Federata Shqiptare e Futbollit e pranoi kërkesën e Ligës Profesioniste të Futbollit, pasi nuk pati reagim nga Qeveria të rishikojë ligjin e sportit dhe sponsorizimeve. Komiteti Ekzekutiv pranë FSHF-së vendosi të shyjë pa afat sezonin 2020-2021 të Superligës.

Liga Profesioniste e Futbollit kërkon prej 5 Gushtit një përgjigje nga Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë, por ende nuk ka një të tillë. Klubet duken të palëkundur në kërkesat e tyre. Ato janë të karakterit ekonomik, pasi thonë se ndodhen në vështirësi.

Por Kryeministri i vendit Edi Rama tha se nuk ka asnjë kërkesë zyrtare nga ana tjetër nuk është dakord me informalitetin në futboll.

“Nuk kam asnjë dijeni për kërkesat. Nuk kam pasur asnjë kërkesë zyrtare për të diskutuar. Kemi bërë një sërë ndryshimesh në funksion të sporteve dhe të futbollit në veçanti. Nëse ka dialog ka mundësi për të parë më tutje. Nëse mund të bëjmë diçka më shumë jemi gati ta bëjmë. Por që futbollistët të vazhdojnë të trajtohen si skllevër në informalitet të plotë”.

Klubet e Superligës kërkojnë që të ulet TVSH në masën 6%. Të falen gjobat dhe kamatëvonesat e detyrimeve tatimore, fiskale e të sigurimeve të prapambetura.

Efektet e pezullimit të tatimit mbi të ardhurat personale të lojtarëve, të shtrihen nga 2 në 10 vite. Sezoni i ri i Superligës duhej të niste këtë të shtunë dhe të përfundonte më 22 Maj të vitit të ardhshëm.

Tv Klan






Të ngjashme