FT: Fondet e BE për zhvillim drejt Greqisë e Italisë


FT: Fondet e BE për zhvillim drejt Greqisë e Italisë

15:30 23/04/2018

Dhjetëra miliarda Euro nga fondet e Bashkimit Europian për zhvillimin e vendeve të Europës Qëndrore do të shfrytëzohen për të ndihmuar vendet në krizë të Eurozonës. Sipas Financial Times, Komisioni Europian po harton projekt-buxhetin e ri për periudhën 2021 – 2027 që pritet të prezantohet në Maj.

Reforma në buxhetin e Bashkimit Europian parashikon që fondi prej 350 miliardë Eurosh të përdoret tani për vendet e Europës Jugore si Greqia, Italia, Spanja dhe disa rajone të jugut të Francës. Fondi i krijuar mbi parimet e të ashtuquajturës “politikë e kohezionit” u krijua për të ndihmuar anëtarët më pak të zhvilluar të unionit, siç ishin ato të Europës Qëndrore dhe Lindore që u anëtarësuan në bllok në vitin 2004, të arrinin standardet ekonomike të vendeve të zhvilluara të Bashkimit Europian.

Financial Times thotë se shpërndarja e fondit nuk do të bazohet më tek Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë i vendeve antare. Si kriter bazë në buxhetin e ri merret niveli i papunësisë, arsimimit, migracionit dhe inovacionit.

Tv Klan






Të ngjashme