Fundoset anija, 3 foshnja në mesin e 6 të mbyturve


Fundoset anija, 3 foshnja në mesin e 6 të mbyturve

11:10 29/07/2018

Një gomone e cila bartte 16 persona, përfshirë edhe disa pjesëtarë të dyshuar të FETO-s, është përmbytur në veriperëndim të Turqisë, në Detin Egje në rrugën drejt ishullit grek Lesbos, raporton Anadolu Agency (AA).

“Gjashtë persona, në mesin e të cilëve tre foshnja humbën jetën pas përmbytjes së gomones pranë ishullit Ciplak të qarkut Ayvalik të provincës Baliksehir”, ka thënë guvernatori i qarkut, Gokhan Gorguluarslan.

Nëntë personat e tjerë u shpëtuan nga roja bregdetare dhe një person llogaritet si i zhdukur. Në gomone ishin dy trafikantë të qenieve njerëzore, ka shtuar Gorguluarslan.

Në gomone po ashtu ndodheshin edhe disa persona që dyshohet të jenë anëtarë të FETO-s, organizatës terroriste e cila orkestroi tentimin e grusht shtetit të dështuar në Korrik 2016.

FETO dhe kreu i saj Fetullah Gulen kanë udhëhequr një fushatë disa vjeçare për rrënimin e shtetit duke u infiltruar në institucionet shtetërore, kryesisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.

Në natën e tentimit të grusht shtetit, të kryer nga FETO, më 15 korrik të vitit 2016, në Turqi ranë dëshmorë 251 persona dhe rreth 2.200 të tjerë u plagosën./AA






Të ngjashme