Fushata e PD, Arbnori, Vejsiu – (20 Shtator 1999)


Fushata e PD, Arbnori, Vejsiu – (20 Shtator 1999)

14:11 20/09/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Situata para Kongresit në Partinë Demokratike duket e qetë. Megjithatë përkrahësit e konkurenteve Pollo e Berisha tashmë janë evidentuar dukshëm. Deputeti Vejsiu është shprehur sot optimist për fitoren e Pollos.  

Ylli Vejsiu, deputet i PD:- “Kur them shanset e Pollos janë të mëdha do të thotë që shpresoj që ai të fitojë. Të fitojë jo Pollo si person, por të fitojë alternativa e tij të cilën e mbeshtesin dhe e përkrahin shumë e shumë demokratë dhe shumë e shumë militantë të PD”.

Ndërkohë Pjetër Arbnori anashkalon parashikimet.

Pjetër Arbnori, deputet i PD:- “Unë kam qenë delegat i kryesisë në disa rrethe dhe detyra e parë e imja është që të mos jap mendim ose të mos marr anësi. Unë kam dhënë një mendim që do ta përsëris: ne jemi që PD të ketë një kryetar demokrat dhe të fortë”.

Gazetarja:- Ndërsa fushata e Pollos duket paksa e butë, mendoni se ka një marrëveshje të fshehtë mes Pollos dhe Berishës për postin e kryetarit?

Pjetër Arbnori, deputet i PD:- “Jo unë nuk mendoj aspak që ka marrëveshje të fshehtë. Mënyra se si e zhvillon një kandidat fushatën është një mënyre e zgjedhur prej tij, e menduar prej tij, dhe unë do të mendoja që edhe taktika e butë ka avantazhet e veta edhe taktika e ashpër ka avantazhe të tjera. Nese ka zgjedhur zoti Pollo një taktikë të butë kjo nuk ka aspak të bëjë me rezultatin e zgjedhjeve në fund të fundit”.

Ylli Vejsiu, deputet i PD:- “Nuk mendoj që duhet ta bëjë Pollo oponencën për gabimet dhe për rrugën e PD, as analizën. Analiza mendoj unë ka kohë që të bëhet dhe vendi më i përshtatshëm për tu bërë analiza e kësaj periudhe 2-vjeçare e PD do të jetë Kuvendi i Partisë që do të mbahet më 30 Shtator. Nëqoftëse nuk do të bëjmë një analizë të plotë, të thellë të rrugës që kemi përshkruar atëherë nuk ka shanse që PD të rigjeneroje imazhin e saj, atë imazh me të cilën u krijua në Dhjetorin e vitit 1990”./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego






Të ngjashme