11:14 09/03/2014Ky është Ilir Hyska, 41 vjeç, i dyshuar si autor i dy shpërthimeve me eksploziv të ndodhura mbrëmjen e shkuar, në Fushë – Krujë.Ai u arrestua nga Forcat e Ndërhyjes së Shpejtë pak orë pas ngjarjeve qe patën në shenjestër banesën e një biznesmeni dhe makinën e një gruaje.Nuk ka bërë asnjë rezistencë kur në portën e shtëpisë së tij ka parë forcat e policisë. Në komisariatin e Fushë – Krujës, ka rrëfyer mënyren se si ka vepruar me dy shpërthimet. Ka treguar se ka patur konflikte për pronën me dy personat e përfshirë në këto dy shpërthime. I pari në listën e veprimeve ka qenë biznesmeni nga fushë-Kruja, David Zogu. Në orën 22:38 minuta ai ka aktivizuar sasinë e parë të eksplozivit, duke dëmtuar portën e jashtme, në Larushkë. Vetëm pak minuta me vonë, rreth orës 23:00, objekt i sulmit ka qenë makina tip Mercedes Fuoristradë e parkuar në oborrin e banesës private në lagjen “Adem Gjeli”, e cila rezulton të jetë pronë e Mereme Shelës,Fatmirësisht nga dy shpërthimet nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme të pakta materiale.Në fillim të javës, një shpërthim me eksploziv u regjistrua edhe në oborrin e Komisariatit të policisë së Fushë Krujës, ku u dëmtuan dy automjete. Ky ishte sulmi i dytë me eksploziv ndaj këtij komisariati, brenda këtij viti.