Donald Trump, Presidenti i ri i SHBA
Miliarderi Donald Trump është Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai do të drejtojë Shtëpinë e Bardhë për 4 vjet, si Presidenti i 45 -të, pas një fitoreje të thellë ndaj demokrates Hillary Clinton. Trump është i pari President i Shteteve të Bashkuara që nuk ka shërbyer në Ushtri apo administratë dhe i pari që vjen nga bota e biznesit, arsye kjo për të cilën është cilësuar nga të majtët si oligark.
Trump shënoi fitore në shtetet kyçe edhe pse sondazhet kishin favorizuar më herët demokraten Hillary Clinton. Fitorja e miliarderit në Uisconsin, që prej vitit 84 nuk ka votuar për republikanët, i dha atij 289 vota elektorale nga 270 të nevojshme për të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.
Me gjithë akuzat e forta të kundështarëve, përfshirë edhe ato si oligark për shkak të pasurisë së vënë prej tij si një sipërmarrës i suksesshëm, Presidenti i sapo zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, me fjalimin e parë para mbështetësve, bëri thirrje për bashkimin e Amerikës dhe tha se do të jetë President i të gjithë amerikanëve.
“Kam marrë një telefonatë nga Sekretarja Clinton. Ajo na uroi ne për fitoren dhe kjo është për ne, për fitoren tonë. Unë e përgëzova atë dhe familjen e saj në një fushatë shumë, shumë të vështirë. Ajo ka luftuar shumë. Hillary ka punuar shumë për një periudhë të gjatë kohore, dhe ne i kemi asaj një borxh të madh mirënjohjeje për shërbimin e saj në vendin tonë. E them këtë shumë seriozisht.
Tani është koha për Amerikën për të lidhur plagët e ndarjes.
I them me përulje çdo qytetari që do të jem president i të gjithëve amerikanëve. Për katër vitet e ardhshme ose edhe për tetë ju do të jeni krenar për mua. Duhet të evitojmë përçarjet dhe të punojmë sëbashku. Kemi një plan shumë të mirë për të dyfishuar rritjen ekonomike. Do të punoj për popullin amerikan. Do të punojmë sëbashku për të bashkuar vendin tonë të madh, edhe me ata që nuk më mbështetën. Do të adresojmë disa prej çështjeve më emergjente që shqetësojnë vendin.”
Fjalimi që pritej nga Kandidatja demokrate u anulua pas daljes së rezultateve.
Trump korri fitore në 28 shtete. Clinton arriti të kryesojë vetëm në 18. Republikanët kanë shënuar një fitore të dyfishtë pasi senati do të mbetet nën drejtimin e tyre. Edhe pse demokratët prisni ndryshime në Senat, nën Presidencën e Trump, Kongresi Republikan dhe Shtëpia e Bardhë kanë tashmë pushtetin e plotë për të ndryshuar ligjet historike të Obamës, si
Obamacare,
apo marrëveshjen bërthamore me Iranin.
Fitorja e Trump ka ndikuar menjëherë në tregjet globale, të cilat shënuan ulje të ndjeshme.
Tv Klan
https://www.youtube.com//embed/UH1ELWG93Yg