Garda merr në mbrojtje zyrtarët e Vettingut
Këshilli i Ministrave në mbledhjen e ditës së hënë ka vendosur që Garda e Republikës të marrë në mbrojtje punonjësit e institucioneve të Vettingut si dhe objektet ku ushtrojnë aktivitet.
Vendim për :Ruajtjen dhe mbrojtjen e anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të personelit vendas dhe ndërkombëtar, të objekteve ku ushtrojnë veprimtarinë, si dhe inspektorit të përgjithshëm të inspektoratit të lartë të deklarimit dhe kontrollit të pasurive dhe konfliktit të interesave, nga Garda e Republikës së Shqipërisë.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjave “c” e “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.8869, datë 22.5.2003, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave. V E N D O S I:- Garda e Republikës së Shqipërisë të ruajë dhe të mbrojë, me truprojë/shofer (nënoficer), si më poshtë vijon:
- a) Kryetarin dhe komisionerët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit;
- b) Kryetarin dhe gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit;
- c) Komisionerët Publikë;
- d) Inspektorin e Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.
- Garda e Republikës së Shqipërisë të ruajë dhe të mbrojë objektet (mjediset e punës), ku ushtrojnë veprimtarinë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Komisionerët Publikë dhe vëzhguesit ndërkombëtarë të emëruar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.
/tvklan.al