Gati harta e mbetjeve në Shqipëri
9 mijë vendgrumbullimi të mbetjeve, pa asnjë kriter janë të evidentuar në të gjithë Shqipërinë.
Në përfundim të aksionit për identifikim inspektorët e mjedisit kanë gati hartën e ndotjes të specifikuar për çdo zonë. Ministri i Turizmit dhe Mjedist Blendi Klosi, shprehu indinjatën se asnjë zonë nuk ka shpëtuar nga ndotja.“Me keqardhje më duhet të pohoj që asnjë zonë nuk ka qenë imune apo e paprekur nga hedhja pa kriter e plehrave, mbeturinave apo mbetjeve. Nuk janë kursyer as vendet e banuara, as ato historike, as ato turistike. Pra harta e papastërtisë është e shtrirë në të gjithë koordinatat gjeografike të Shqipërisë, me përjashtime të vogla të qendrave të mëdha urbane. As më shumë e as më pak: plot 9 mijë vendgrumbullime mbetjesh apo plehrash”.
Pas evidentimit të situatës, ministri Klosi përcaktoi 24 Nëntorin si ditën e nisjes së operacionit për pastrimin e Shqipërisë. Ndërsa ftoi qytetarët të jenë pjesë e këtij aksioni kreu i turizmit dhe mjedisit premtoi se nisja e sezonit turistik do të gjejë Shqipërinë e pastër. Tv Klan