Gati testimi serologjik për stafet mjekësore në QSUT
Covid-19, të hënën nis testimi i ri për grupet e rrezikuara
Nga e hëna, në laboratorin mikrobiologjik të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza do të nisë testimi i ri serologjik, i cili shërben për konfirmimin e diagnozës dhe vlerësimin e imunizimit.
“Komiteti Teknik i Ekspertëve i ngritur në Ministrinë e Shëndetësisë për epideminë e koronavirusit, ka vendosur që të përfshijë një testim të ri, që është testimi serologjik, i cili do të nisë pikërisht nga grupet e rrezikuara, siç janë mjekët, por edhe strukturat e policisë. Janë përcaktuar protokollet dhe nga dita e hënë do të nisë testimi i ri”.
Aktualisht janë siguruar 6 mijë teste për të filluar punën, e cila do të mbikëqyret nga Instituti i Shëndetit Publik dhe prioritet është personeli shëndetësor.
“Dua të them që mbetet prioritet për ne mbështetja dhe mbrojtja e stafit tonë të shëndetësisë. Prandaj dhe ky testim serologjik për të vlerësuar krijimin e antitrupave do të fillojë në grupet më të riskuara që janë personeli mjekësor dhe gjithashtu grupet që janë në shërbime siç janë policia e shteti e të tjerë”.
Laboratori i QSUT është i ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare dhe stafi që do të punojë është i trajnuar. Në një fazë të dytë, ky laborator pritet të shërbejë edhe për testimin e kampioneve të dyshuara për Covid-19, me metodën e biologjisë molekular të Real-Time PCR.
Tv Klan