Gazetari Julian Kasapi zbulon sa kohë jetonte me qira Orgest Bilbili tek “Xhamlliku”
Orgest Bilbili, 30-vjeçari nga Lushnja që u arrestua më 10 Prill në Tiranë pasi u plagos nga efektivi i forcave “Shqiponja”, jetonte në zonën rrugën “Sitki Çiço” në zonën e “Xhamllikut” prej 2 muajsh.
Ky fakt është zbuluar nga gazetari i “A2 CNN” Julian Kasapi, i cili tregoi në emisionin “Uniko” nga Spartak Koka në Klan Plus se banesën ku po qëndronte me qira, 30-vjeçari Bilbili e kishte siguruar përmes personave të tjerë.
Gazetari Kasapi thekson se Orgest Bilbili vërtitej në këtë zonë pranë qendrës së kryeqytetit prej më shumë se 2 muaj.
Spartak Koka: Si ka mundësi që një person i kërkuar jetonte në një banesë me qira në një nga lagjet më të popullurara të kryeqytetit, si ka mundësi nuk kishte arritur të pikasej më herët nga strukturat policore apo nga banorët?
Julian Kasapi: Unë besoj se kjo tregon dhe zgjuarsinë e këtyre personave që kanë rrezikshmëri të lartë shoqërore, se si këta persona nuk zgjedhin periferi ku të fshihen, ku të largohen, por zgjedhin pikërisht zemrën e kryeqytetit, pikërisht një nga zonat më të qetë të Tiranës dhe qëndrojnë aty me qira sikur të jenë të padukshëm. Dhe kjo tregon dhe një anë tjetër paksa problematike të policisë, duke lënë mënjanë pjesën e plagosjes por dhe meritën që ka efektivi i Shqiponjav, kjo nga ana tjetër se sa i pakët është informacioni kriminal për këta persona të rrezikshëm. Strukturat policore, Policia e Shtetit duhet të ketë informacion për persona të tillë nëse ata lëvizin në lagje, madje nga informacionet që ne kemi është se ky person ndonëse kishte dy muaj që qëndronte në këtë banesë me qira, informacioni tjetër është se ai në zonën ku ka ndodhur ngjarja kishte më shumë kohë. Pra kishte arritur të merrte shtëpi me qira nëpërmjet personave të tjerë. Ka pasur dhe apartamente të tjera, ndaj dhe policia është detyruar që të rikthehet prapë po atë ditë. Policia është rikthyer për të bërë në total gjithë krehjen e zonës pasi zona ka disa dalje për në qendër, por edhe për shkak të informacioneve se ndoshta mund të fshihej dhe Laert Haxhiu ose dhe miku i Orgest Bilbilit. /klanplus