Gega: Keqardhje që nuk përfaqësova Shqipërinë
Luiza Gega kërkon t’i japë fund polemikave mbi mospjesëmarrjen në Botërorin që po zhvillohet në Londër. Atletja shqiptare shpreh keqardhjen për mospjesëmarrjen në garën e 3000 metrave, për shkak të dëmtimit në tendinën e akilit.
“Finalen e kisha të sigurtë”,
thotë atletja.
Por të mos ishte dëmtuar, Gega duhet të ishte dje në garë dhe kjo e ka rënduar psikologjikisht.
“Kjo më vret më shumë se Shqipëria nuk u përfaqësua, Federata nuk u përfaqësua”,
shprehet Luiza Gega.
Por një ditë më parë Presidenti i Federatës së Atletikës, Gjergj Ruli tha për Tv Klan se sportistja edhe e dëmtuar duhet të ishte paraqitur në Botërorin e Londrës pasi sipas tij në të tilla evenimente vlerësohet edhe shpirti i garës. Atletja është stërvitur në Dardhë të Korçës në kushte jo normale për një atlete pretendente, nënkampione europe.
“Sportisti e përjeton më shumë se kushdo tjetër. Për të garuar me elitën duhet të stërvitem në kushte të mira por, jam stërvitur në kushte të vështira sepse jashtë nuk ë përballoj dot financiarisht”
, tregon ajo.
Por sipas presidentit Ruli, atletja ka pasur në dispozicion edhe pistën e stadiumit të Korçës si dhe atë të Elbasanit.
Por cili është dëmtimi i Luizës? Mjeku i Kombëtares së Atletikës, Mel Ostreni shpjegon se çështja ishte serioze.
“Kishte zgjatje të tendinës. Dy javë pushim… mund të rikthehet në stërvitje”
, thotë ai.
Ostreni këshillon që Luiza të stërvitet në mënyrë të zgjuar për të shmangur sforcimet fizike.
“Të përzgjedhë garat ku do të marrë pjesë”,
deklaron Mel Ostreni. TV KLAN