Genc Pollo dhe Tritan Shehu Shehu intervistë (1 Korrik 1999)
Partia Demokratike heq dorë nga këmbëngulja e vazhdueshme për zgjedhje të parakohëshme. Ndryshimin e dukshëm e ka konfirmuar sot nënkryetari demokrat Genc Pollo. Ndërkohë ish kryetari demokrat Tritan Shehu, ndonëse ka vlerësuar ndryshimet si një hap pozitiv sheh me dyshim lëvizjet e krerëve aktuale të Partisë Demokratike. Por demokratët ndonëse kanë hequr dorë nga ideja e zgjedhjeve të reja nuk mohojnë nevojën e një zgjidhje politike, qoftë kjo dhe pjesëmarrje në Qeverinë Majko.
Genc Pollo: Ne jemi të përgatitur qoftë për luftën e ashpër politike në pozitat e një opozite konstruktive, por nëse vijnë zgjedhjet dhe padyshim ky vend ka nevojë për zgjedhje, mund të diskutojmë se kur duhet të zhvillohen ato, të shkojmë me synimin e qartë për t’i fituar ato. Kjo duhet të jetë mëse e dukshme dhe e qartë.
Tritan Shehu: Kush mban përgjegjësinë për këtë politikë bojkotuese, kush do të paguajë çmimin politik për këtë politikë bojkotuese. Këtu nuk mund të akuzohet programi i PD-së, nuk është faji i programit për këto që ndodhen. Nuk është faji as i masës së Partisë Demokratike, as i militantëve të PD, të cilët u keqpërdorën shumë herë, por është faji i drejtuesve më të lartë të PD-së, të cilët për mua në mënyra jo shumë demokratike i imponuan Partisë Demokratike atë politikë të cilën tashmë jemi të detyruar ta ndryshojmë. Por ama jemi të detyruar ta ndryshojmë dhe po e ndryshojmë pa pranuar dëmin që krijuam dhe pa pranuar përgjegjësitë. Kjo të lë një shije të hidhur dhe kjo të rikujton ato mënyrat e vjetra të përdorimit të kthesave të mëdhaja dhe nuk të jep një siguri që këto ngjarje nuk do të përsëriten prapë./tvklan.al
Gazetare: Ornela Bego