Genc Pollo, intervistë (25 Shtator 1999)


Genc Pollo, intervistë (25 Shtator 1999)

13:17 25/09/1999

Intervistë me Nënkryetarin e Partisë Demokratike Genc Pollo.

Genc Pollo: Kam paraqitur disa propozime lidhur me procedurën e votimit dhe me rregullimin e Kuvendit, lidhur me publikimin e listës së delegatëve, me caktimin e vendit për secilin prej tyre në mënyrë që mos të ketë konfuzion dhe rrëmujë në sallë si dhe me procedura votimi dhe përbërje të komisionit të votimit që janë të besueshme, dhe besoj që kandidati tjetër dhe që është dhe kryetari i partisë do të ketë mirëkuptim dhe do t’i pranojë ato meqë jemi deklaruar të gjithë shumë shpesh që PD është parti e votës së lirë. Kështu që kam besim në këtë drejtim.

Gazetarja: Zgjedhja e Minarollit në konferencë, zvogëlohet mundësia për të fituar.

Genc Pollo: Unë i uroj z.Minarolli të ketë sukses në detyrën e re. Dje unë mora pjesë vetë në Konferencën e Tiranës dhe pata mundësinë të përshëndes e të diskutoj në të. Pata përshtypjen që shumë nga diskutimet duhet të kishin vendin në Kuvend Kombëtar sepse u diskutua më tepër për kreun e partisë qëndrore se sa për kreun e Tiranës. Megjithatë besoj që kryetari i ri dhe kryesia e re që do dali nga votimi, do ta drejtojnë degën më të rëndësishme që ka PD në gjithë Shqipërinë. Tirana është qendra e Shqipërisë, ka një të katërtën e elektoratit, 1/4 e demokratëve, është qendra me potencial më të madh intelektual. Pra dega e Tiranës krahas mitingjeve aktiviteteve politike duhet të synojë që të bëjë për vete gjithë këtë shtresë shumë të rëndësishme pa të cilën nuk mund të qeveriset vendi. Fushata është bërë në një fare mase nëpërmjet kontakteve me partinë, me konferencat e saj, nëpërmjet mediave dhe nëpërmjet kontaktit direkt. Besoj që kjo do vazhdojë deri në Kuvendin Kombëtar.

Gazetarja: Parashikimet tuaja duke patur parasysh konferencën?

Genc Pollo: Unë kam besim që konferencat, delegatët që dalin nga konferenca do i shikojnë gjërat me realizëm, do i peshojnë gjërat me gjakftohtësi, do të mendojnë jo në interes të një personi apo një tjetri, por do mendojnë dhe do veprojnë dhe do votojnë në interes të PD-së në tërësi dhe të vendit natyrisht.

Gazetarja: Nëse në Kongres do ketë ngjarje si në Shkodër si do jetë reagimi yt?

Genc Pollo: Unë nuk dua të mendoj ose të paragjykoj Kuvendin Kombëtar. Kuvendi Kombëtar është një ngjarje e rëndësishme që i shërben PD-së për të hedhur piketat për strategjinë e re, për konsolidimin e saj. Ajo që ne duhet të bëjmë të tërë ne që kemi përgjegjësi është që të marrim masat, të përcaktojmë rregullat që gjithçka të jetë e qartë qysh në fillim./tvklan.al






Të ngjashme