Gjatë pandemisë numri i vdekjeve ra me 18%
INSTAT: Prill-Qershor 1,126 më pak humbje jetësh
Numri i vdekjeve gjatë periudhës së shpërthimit të pandemisë së Covid-19 në Shqipëri ka shënuar rënie, duke mbetur poshtë mesatares historike.
Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave Shqiptare, numri total i vdekjeve në muajt Prill, Maj dhe Qershor arriti në 4,989, duke u ulur me 1,126 humbje jetësh krahasuar me tre muajt e parë të vitit dhe me një rënie prej 432 raste vdekjesh nëse krahasohet me fundin e vitit 2019.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se numri i vdekjeve në këtë periudhë është më i ulët edhe se muajt Prill-Qershor të një viti më parë.
Nëse do të llogariten edhe të dhënat e rasteve të vdekjes nga Covid-19 në muajt Korrik dhe Gusht, të cilat arrijnë në 141, sërish vdekjet si numër në këtë periudhë do të rezultonin më të ulëta se në muajt e parë të vitit, kur Shqipëria nuk ishte prekur nga pandemia.
Shkaku i vdekjeve në Shqipëri dominohet nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut, të cilat shkaktuan 11 mijë e 700 vdekje vitin e shkuar, të pasuara nga tumoret, helmimet dhe aksidentet.
Qarku me numrin më të ulët të vdekjeve në këtë periudhë është Kukësi, ndërsa me numrin më të lartë rezulton ai i Tiranës.
Tv Klan