Gjenden dy kufoma në Durrës dhe Vlorë (15 Korrik 2000)
Dy kufoma janë identifikuar brenda ditës në dy qytete bregdetare si Durrësi dhe Vlora. Me dy plumba pas koke, duart e lidhura me kordon blu dhe i keqtrajtuar fizikisht para se të ekzekutohej. Ka qenë kjo gjendja e një kufome të hedhur në një kanal në Durrës. Pasi është gjetur nga fshatarët, në morgun e Durrësit ai ishte identifikuar. Personi i vrarë quhej Enver Petku 32 vjeç i lindur në Kukës dhe aktualisht banor i fshatit Perlat të Sukthit.
Vrasja rezulton të mos jetë bërë në vendin ku është gjetur kufoma. Motivet dhe autorët e vrasjes janë ende të pazbardhura.
Ndërsa Albana Llaho 22 vjeçe, pas një historie dashurie pa fat, i ka dhënë fund jetës së saj duke u mbytur në det. Vajza nga Bilishti ndodhej me të atin tek të afërm, por pushimet buzë detit nuk e kanë bërë 22 vjeçaren të harrojë bashkëfshatarin e saj i cili e ka lënë për t’u larguar në Greqi. Në gjendje të rënduar depresive vajza është larguar kur të afërmit e saj po flinin për t’u gjetur më pas në breg të detit pa jetë./tvklan.al