Gjendet e braktisur në varreza makina e atentatorëve
Automjeti që dyshohet se u përdor nga autorët e atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoj dhe dy personave të tjerë, u gjet gjatë orëve të mbrëmjes të së premtes e braktisur pranë varrezave të Shkarfanës, tek kthesa e Ishmit. Burime policore bëjnë të ditur se brenda në makinë janë gjetur dy kallashnikovë.
Menjëherë pas atentatit të ndodhur rreth orës 16:30 tek mbikalimi i Shkozetit, në autostradën Durrës-Tiranë, autoritetet u vunë në ndjekje të autorëve, identiteti i të cilëve nuk dihet ende.
Nga breshëria e plumbave, makina me të cilën udhëtonte prokurori i Durrësit Ndoj, sëbashku me Andi Malokun dhe Aleksandër Lahon, doli nga rruga. Të tre personat që ndodheshin në mjet mbetën të plagosur.
Në gjendje të rëndë vijon të mbetet 30-vjeçari Andi Maloku, i cili ishte në timon. Ndërsa 44-vjeçari Ndoj dhe 48-vjeçari Aleksandër Laho janë jashtë rrezikut për jetën.
Ata ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve dhe të ruajtur nga forca të shumta policore./tvklan.al