Gjendet e vdekur në tualetin e shkollës adoleshentja
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të enjte në qytetin e Fierit. Rreth orës 14:40, në spitalin rajonal të këtij qyteti ka shkuar e vdekur një 17 –vjeçare me iniciale A.R.
Bëhet fjalë për një nxënëse të një shkolle profesionale në këtë qytet. Paraprakisht rezulton se e reja ka shkuar në tualetin e shkollës dhe nuk ka dalë prej andej për një kohë të gjatë.
Më pas kanë shkuar për kontroll personeli i shkollës dhe disa nga shokët e klasës dhe rreth orës 14:25 e kanë gjetur nxënësen të shtrirë në dyshemenë e tualetit.
Kanë qenë ata që kanë lajmëruar ambulancën dhe e kanë nisur për në spital.
Sipas policisë, nga kqyrja nuk janë konstatuar shenja dhune në trup. Paraprakisht dyshohet për helmim ose problem shëndetësor.
Do të jetë mjeku ligjor, i cili do të përcaktojë dhe shkakun e vdekjes së 17 – vjeçares. Ndërkohë policia e Fierit ka marrë në pyetje familjarë të 17 vjeçares për të zbuluar nëse vajza ka pasur probleme shëndetësore apo problem të tjera të cilat mund ta kenë çuar në vetëvrasje.
Para 3 ditësh, prindërit e 17-vjeçares e kanë çuar vajzën në spital pasi ishte ndjerë keq. Mjekët e spitalit të fierit I kishin dhënë mjekim për grip. /tvklan.al