Gjendet një trup i pajetë, dyshohet se është i shqiptares së zhdukur në SHBA
Policia amerikane ka gjetur një trup të pajetë që mendohet se i përket shqiptares nga Maqedonia, Adea Shabani. Gjatë një konference për shtyp, zëdhënësi i Departamentit të Policisë së Los Anxhelos u tha gazetarëve se hetuesit besojnë që trupi i pajetë i përket pikërisht 25-vjeçares që studionte për aktrim.
“Tani besojmë se trupi i gjetur është i Adea Shabanit. Megjithatë nuk mund të themi përfundimisht se është trupi i saj, sepse gjendja e eshtrave nuk na mundësoi një identifikim pozitiv të saj
“, tha ai. Sipas New York Times, trupi i pajetë u gjet në një rezervë natyrore në Nevada.
Policia dyshon gjithashtu se Christopher Spotz, i identifikuar si i dashuri i Adea Shabanit, mund të jetë i përfshirë në vrasjen e saj. Shqiptarja Adea Shabani ishte zhdukur që prej pasdites së 23 Shkurtit, ndërsa miqtë denoncuan mungesën e saj dy ditë më vonë. Hetimet e policisë u fokusuan tek 33-vjeçari Spotz, i cili në atë periudhë kishte filluar të takohej me një femër tjetër. Nga hetimet rezultoi se Spotz ishte parë me Adea Shabanin duke dalë nga apartamenti ditën që ajo ishte zhdukur.
Spotz, aktor në Hollivud, u vetëvra para rreth një jave gjatë ndjekjes nga policia pasi drejtonte një makinë që mendohet se ishte përdorur në një vrasje.
/tvklan.al