Gjendje alarmante nga përmbytjet
Ekipet e shpëtimit me helikopterë kanë shpëtuar të paktën 750 persona në jug të Francës, pasi shirat e rrëmbyer nxorën nga shtrati lumenjtë.
Të paktën një turist, një 70-vjeçar gjerman, rezulton i zhdukur pasi po ndihmonte disa fëmijë në një prej 5 kampeve që u evakuuan. Në disa zona ra deri në 10 centimetra shi, në më pak se 3 orë. Të dhënat e para, sipas asaj që shkruan "Mirror", flasin për të paktën 4 fëmijë që po trajtohen për hipotermi. Policia tha se 70-vjeçari, i cili rezulton i humbur, po shoqëronte një grup prej 100 fëmijësh gjermanë që u evakuuan nga një zonë kampingu në Saint-Julien-de-Peyrolas, rreth 60 kilometra në veri të Avignon. I bllokuar nga balta dhe rrymat e rrëmbyera, pasi lumi Ardeche doli nga shtrati, ai u fut brenda automjetit të tij, por ky i fundit u rrëmbye nga uji. Deri më tani ai është i vetmi i zhdukur pas operacionit të shpëtimit, që u fokusua në kampingjet në këtë zonë, ku vala e të nxehtit përfundoi në stuhi dhe përmbytje./tvklan.al