Gjendje e jashtëzakonshme në Stamboll


Gjendje e jashtëzakonshme në Stamboll

13:52 18/07/2017

Stambolli është goditur nga reshje të jashtëzakonshme shiu këtë të martë.

Në të katër anët e metropolit turk janë bllokuar rrugët dhe metrotë.

Uji ka bllokuar edhe tunelin Avrasya që lidh Europën me Azinë nën Bosfor.

Shumë makina janë mbuluar nga uji, e disa kanë notuar.

Ministri turk i Transportit, Çështjeve Detare dhe Informacionit, Ahmet Arslan tha se "Në një orë ose një orë e gjysmë kanë rënë 250 litra shi në një metër katror. Kjo është një gjendje e jashtëzakonshme. Autoritetet kompetente janë angazhuar tek tuneli i Euroazisë dhe bëjnë pompimin e ujit. Së shpejti, tuneli duhet të hapet."

Sipas mediave deri më tani nuk janë raportuar viktima, por dëmet materiale janë të pallogaritshme. Megjithatë, shteti ka premtuar dëmshpërblime.

Autoritetet u kanë kërkuar banorëve të mos lëvizin  me automjete përveç në raste urgjente.

Përveç shumë rrugëve, tuneleve dhe nënkalimeve që janë mbuluar nga uji, reshjet e dendura të shiut kanë vështirësuar edhe trafikun ajror dhe detar në qytetin me mbi 15 milionë banorë.

Ndërkohë, shumë interesante ka qenë edhe thirrja nga një kanal televiziv, ku redaktori i motit ka theksuar se ata që janë më të shkurtër se 1.60 cm do të ishte mirë të mos dilnin jashtë.

Thirrja e bërë nga ekrani i televizioni Haberturk është shpërndarë gjerësisht në median sociale.

Reshje me dendësi të tillë janë të pazakonta edhe për muajt e vjeshtës apo dimrit në Stamboll.

/tvklan.al






Të ngjashme