Gjenerali Uesli Klark në Tiranë – (17 Prill 1999)


Gjenerali Uesli Klark në Tiranë – (17 Prill 1999)

12:03 17/04/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Sot Uesli Klark Komandanti Suprem i NATO-s dhe personi që komandon të gjitha sulmet ajrore mbi Jugosllavi ka mbërritur në Tiranë për një vizitë dy orëshe. Vizita e paralajmëruar e gjeneralit suprem të Natos, kishte filluar që heret në mëngjes në Maqedoni e më pas në Rinas. Në një nga dy helikopterët që janë nisur për në Tiranë ndodhej Komandanti Suprem i NATO-s, Klark.

Pas disa minutash Klark i shoqëruar dhe nga gjeneralë të tjerë të NATO-s ka mbërritur në stadiumin “Qemal Stafa”. Mercedezi i shoqëruar me trupa speciale mbrojtëse largohet drejt kryeministrisë. Jam i kënaqur të jem përsëri në Tiranë thotë Klark në takimin me kryeministrin Majko. Më pas biseda zhvillohet për disa momente në praninë e gazetarëve.

Kryeministri Pandeli Majko:- “Jo vetëm për vizitën tuaj por edhe për faktin që ju tani jeni bërë hero i të gjithë grave dhe fëmijëve që presin të kthehen në Kosovë”.

Më pas delegacioni ushtarak i NATO-s drejtohet për në Ministrinë e Mbrojtjes. Himni kombetar dhe marshet ushtarake e kanë shoqëruar Gjeneralin Klark dhe Ministrin e Mbrojtjes Hajdaraga për bisedime kokë më kokë. Pas takimit Klark ka folur per shtypin.

Jam ketu tha Klark të konsultohem me qeverine shqiptare për krizen në rajon për problemet që Shqipëria po përballon me ardhjen e refugjateve kosovarë si dhe për të parë progresin që ka bërë shteti shqiptar në menaxhimin e krizës së të ardhurve nga Kosova. Klark ka thënë se helikopteret Apash do mberrijne shume shpejt ne Tirane. Lidhur me sulmet dhe bombardimet serbe në kufirin shqiptar, Klark ka deklaruar se sovraniteti dhe integriteti i Shqipërisë dhe i shteteve të tjera kufitare me Jugosllavinë për NATO-n është i një rëndësie të veçantë. Millosheviçi duhet të ndalojë menjëherë dhunimin e një vendi të lirë si Shqipëria.

Pyetjes së Televizionit Klan për ardhjen e trupave të tjera shtesë tokësore në Shqipëri, Klark ju përgjigj:

Gjenerali Uesli Klark:- “NATO do të instalojë në Shqipëri dy lloj trupash, të parët për të ndihmuar qeverinë shqiptare në aksionet e saj humanitare për të ardhurit nga Kosova dhe të dytat janë trupa shoqëruese dhe mbrojtëse amerikane për helikopterët Apash. Deri tani nuk kemi plane të reja për instalim të ri forcash në Shqipëri.

Që këtu Klark u largua drejt Rinasit e më pas drejt Brukselit nga ku ai do të vazhdoj të komandoj bombardimet ajrore të Natos mbi Jugosllavi, të cilat sipas Klark do të vazhdojnë derisa të arrihet paqja në Kosovë./tvklan.al






Të ngjashme