Gjermani, thirrje për sanksione kundër Turqisë
55 gjermanë ndodhen në Turqi në burg, 12 syresh për arsye politike. Tani gjithnjë e më shumë politikanë në Berlin pyesin, edhe sa kohë do ta durojë Gjermania këtë sjellje të Erdoganit?
Jo zgjerim të unionit doganor
Kandidati për kancelar i Të Gjelbërve, Cem Özdemir deklaroi se “koha e përkëdhelisë ka marrë fund”. Tani duhet të ketë deklarata të qarta kundër Erdoganit, si psh. jo zgjerim të unionit doganor. Özdemir e quajti Erdoganin një “pengmarrës, që burgos njerëz për të ushtruar presion ndaj nesh”. E vetmja gjuhë që kupton Erdogani, është “gjuha e parasë”, është shprehur opozitari Özdemir për gazetën gjermane “Münchner Merkur”.
Edhe politikanja e Majtë, Sevim Dagdelen ka kërkuar që të marrë fund “politika zbutëse e ministrit të Jashtëm, Sigmar Gabriel dhe kancelares Merkel”, kërkon ajo në gazetën gjermane, “Bild”.
„Tani mjaft më.” Edhe kreu i partisë kristiansociale, CSU, Horst Seehofer shprehet, se „kjo është një seri shkeljesh kundër idesë bazë europiane, shtetit ligjor”. Seehofer kërkon në gazetën Nürnberger Nachrichten që „BE dhe qeveria gjermane të dërgojnë sinjale të qarta”. Duhet të ndërpriten negociatat e anëtarësimit me Turqinë, po ashtu edhe ndihmat financiare si përgatitje për anëtarësimin, që pritet të përbëjnë 4,2 miliardë euro në vitet e ardhshme. Po ashtu nga politikanë të partive të ndryshme gjermane kërkohet që të lëshohet një paralajmërim për udhëtimet në Turqi. Turistët duhet të heqin dorë nga prenotimet pa kosto, kërkoi Cem Özdemir nga Të Gjelbrit. Ndërsa politikani liberal, Christian Linder pyet në një aktivitet në Hamburg „edhe sa kohë do ta shohim këtë situatë?”
Të dy shtetasit vetëm me pasaportë gjermane, por me gjasë me rrënjë turke u kapën nga policia në aeroportin e vendit turistik, Antalya në Turqi. Ministria e Jashtme Gjermane, sipas informacioneve të para, bën të ditur se ata janë arrestuar për arsye politike, ashtu si edhe 10 gjermanë të tjerë të arrestuar. Por ende ka shumë çështje të pasqaruara, lidhur me arrestimin e fundit. Konsullatës së Pëgjithshme gjermane i është refuzuar kontakti me të arrestuarit, sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme./DW