Gjermania, 4 mln Euro për rindërtimin pas tërmetit
Gjermania do të mbështesë qeverinë Shqiptare me grante në shumën e 4 milionë Eurove pas tërmetit katastrofik të 26 Nëntorin. Lajmin e ka bërë të ditur ambasada gjermane përmes një deklarate në rrjetet sociale.
“Qeveria Federale do të mbështesë rindërtimin pas tërmetit të tmerrshëm të 26 Nëntorit me grante në shumën e 4 milionë Euro përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW)”, thuhet në deklaratë.
Sipas ambasadës, me këto fonde do të rindërtohen shkolla dhe ndërtesa publike në përputhje me standardet më të fundit të sigurisë dhe eficensës së energjisë.
Ndërkohë, ambasadori gjerman, Peter Zingraf shprehet se ky grant është një nga elementët e mbështetjes së Gjermanisë pas tërmetit.
“Gjermania do të ndihmojë Shqipërinë për të rindërtuar shkollat dhe institucionet publike. Ky grant është një nga elementët e mbështetjes gjermane pas tërmetit të 26 Nëntorit i cili traumatizoi shumë shqiptarë dhe shqiptare. Rindërtimi do të shërbejë për rikthimin dalëngadalë në normalitetin e jetës së përditshme”, shprehet Zingraf.
Tërmeti me 6.4 shkallë Rihter i 26 Nëntorit la pas 51 viktima, e qindra të plagosur. Si pasojë e lëkundjeve shumë ndërtesa mbetën të dëmtuara rëndë./tvklan.al