Gjermania kërcënon Rusinë me sanksione
“Të zbardhet sa më shpejt helmimi i Navalny”
Berlini paralajmëron se do të shfrytëzojë presidencën e Bashkimit Europian për të nxitur sanksione të ashpra ndaj Moskës, nëse nuk nis menjëherë hetimet për helmimin me Noviçok të liderit të opozitës ruse Alexei Navalny.
Paralajmërimi vjen nga ministri i Jashtëm gjerman Hajko Maas, i cili në një intervistë për shtypin gjerman kërcënoi Rusinë se Gjermania mund të tërhiqet edhe nga projekti i gazsjellësit Nordstream 2.
Ky projekt është kritikuar ashpër edhe nga Presidenti amerikan Donald Trump, sipas të cilit duke lidhur marrëveshje me Rusinë, Gjermania rrezikoi aleancën perëndimore duke i shtuar Moskës të ardhurat nga gazi.
Paralajmërimi vjen pasi këtë javë, laboratori i toksikologjisë i ushtrisë gjermane zbuloi gjurmë Noviçoku në gjakun e Navalny. Moska i hodhi poshtë pretendimet duke akuzuar Gjermaninë për helmimin.
Sipas Kremlinit, në spitalin e Omskut nuk u zbulua asnjë shenjë e lëndës së rrezikshme ushtarake të krijuar në periudhën e ish-Bashkimit Sovjetik. Ministria e Jashtme ruse tha se është Berlini që po pengon hetimet, pasi me përfshirjen në këtë çështje po manipulon provat.
Tv Klan