Gjermania nis testet e vaksinës anti-Covid te njeriu
Synohet të përdoret brenda pak muajve në popullate
Nisin në Gjermani, testet e para në Europë tek njeriu për një vaksinë kundër COVID-19ës. Vaksina është zhvilluar nga një firmë farmaceutike gjermane. Përmes procedurave të përshpejtuara synohet që vaksina të përdoret brenda pak muajve, për imunizimin e popullatës.
Gjermania bëhet i pari vend europian që autorizon nisjen e testeve tek njeriu për efektshmërinë e vaksinës së koronavirusit. Instituti federal gjerman për vaksinat dhe ilaçet Paul Ehrlich aprovoi kërkesën e kompanisë BioNTek për të testuar vaksinën kundër COVID-19ës të zhvilluar prej saj.
Në fazën e parë, testet do të kryen tek 200 individë të shëndetshëm të moshave nga 18 deri 55 vjeç. Faza tjetër parashikon përfshirjen në teste edhe të personave që rrezikohen më tepër nga koronavirusi, siç janë ata që vuajnë nga sëmundje të tjera. Do të duhen muaj që testet të japin rezultate, nëse vaksina mund të përdoret për të imunizuar popullatën. Megjithatë, falë edhe angazhimit të qeverisë gjermane, testet po kryen me procedura tepër të përshpejtuara.
Në kushte normale, për vaksinat nevojitet një periudhë 5 deri 10 vjet për t’u certifikuar si 100% të sigurta. Kjo është vaksina e katërt në botë që i nënshtrohet testeve klinike. Provat kanë nisur të zhvillohen në mars nga kompania farmaceutike Moderna në Shtetet e Bashkuara. Në Shtetet e Bashkuara po testohen 2 vaksina dhe një tjetër në Kinë.
Në Britaninë e Madhe pritet të nisë në ditët e fundit të këtij muaji testi tek njerëzit i një vaksine të zhvilluar nga shkencëtarët e universitetit të Oksfordit në bashkëpunim me një laborator italian. Ndërsa firma tjetër gjermane CureVac premtoi se do t’a ketë gati vaksinën për imunizimin e popullatës, brenda vjeshtës edhe pse testet klinike nuk janë nisur.
Tv Klan