Gjermania pret 350 fëmijë të braktisur
Dy grupe të përbëra nga fëmijë emigrantësh të braktisur janë evakuuar nga kampet e refugjatëve në Greqi dhe janë nisur me avione nga aeroporti i Athinës drejt Gjermanisë dhe Luksemburgut.
Fëmijët janë nga Afganistani, Siria dhe Eritrea. Më parë, ata ishin strehuar në ishujt grekë, Lesbos, Samos dhe Kios, gjë që ishte kritikuar nga aktivistët e të drejtave të fëmijëve.
Autoritetet thanë së të gjithë janë testuar për koronavirus para arritjes dhe se do të qëndrojnë në vetizolim për dy javë para se të lëvizin nëpër qytete. Gjermania kishte shprehur gatishmërinë të pranojë 350 fëmijë që jetojnë në kampe të Greqisë.
Ky plan kishte mbetur pezull në disa shtete për shkak të pandemisë. Zv/Ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarëve Giorgos Koumoutsakos, vlerësoi këtë mbështetje që e quajti “një tregues të solidaritetit”.
Në muajin mars, tetë vendet anëtare të BE ranë dakord të mirëpresin të paktën 1.600 fëmijë që arritën në brigjet e Greqisë pa prindërit e tyre, në mes të shpërthimit të koronavirusit. Mbi 42,000 migrantë aktualisht jetojnë në kampe të mbipopulluara nëpër ishujt Grekë, ndërsa rreth 5.500 të mitur janë të pashoqëruar.
Klan Plus