Gjiknuri në Himarë: Do të hapet zyrë shërbimi për hipotekën
Himara shpejt do të ketë një zyrë hipoteke dhe një tjetër për shërbimet e transportit rrugor. Premtimi u bë nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri gjatë dëgjesës me banorët, në kuadër të turit të llogaridhënies, me qëllim zgjidhjen e problematikës së pronave, një nga më shqetësueset në këtë zonë.
“Ne sëbashku jemi duke përgatitur edhe projektin, shumë shpejt folëm dhe me kryetarin e bashkisë, në mënyrë që ta bëjmë të mundur hapjen e asaj zyrës së shërbimit në Himarë përsa i përket hipotekës. Pra që ju të mos sorollateni pjesa më e madhe duke shkuar në Vlorë apo pjesa tjetër duke shkuar në Sarandë”.
Edhe regjistrimi i banesave të vjetra do ketë masë lehtësuese.
“Kemi përgatitur edhe një vendim për të reduktuar në minimum tarifat për regjistrimin e shtëpive të vjetra. Shumë shpejt kjo do të bëhet realitet”.
Minsitri Gjiknuri vuri në dukje investimet e kryera në zonë, duke u ndalur veçanërisht në ndërhyrjen e ujësjellës-kanalizimeve.
Ndërsa ministri i Turizmit Blelndi Klosi ishte në Lushnje ku tha se kjo zonë Lushnja mund të shndërrohet në një pikë të ndërmjetme turistike përsa i përket agroturizmit, agropërpunimit dhe ofertave alternative turistike përveç bregdetit.
Klosi tha se për herë të parë këtë sezon turistik, Shqipëria do të ketë më shumë turistë sesa shtretër.
Tv Klan