Gjinushi, mbledhja e PSD – (10 Gusht 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Mbledhje e ashpër në selinë e Partisë Social Demokrate. Kryesia e saj ka diskutuar sot rreth kontradiktave mes grupimit të sekretarëve Kule e Myftari dhe pjesës tjetër të udhëhequr nga kryetari Gjinushi dhe nënkryetari Gaqo Apostoli. Sipas burimeve brenda mbledhjes mësohet se një nga çështjet e diskutuara ka qenë ajo e fraksionit. Pikërisht për këtë problem kryetari socialdemokrat Skënder Gjinushi ka folur sot për Tv Klan.
Skënder Gjinushi, kryetari i PSD:- “Nuk quhen fraksione as shpifjet, as insinuatat, as fyerjet që mund të bësh ndaj kolegëve të tu dhe ndaj institucionit të partisë. Alternativa apo fraksione ngrihen vetëm mbi diferenca programesh, qëndrimesh dhe PSD nuk ka pasur kurrë divergjenca për programin bazë. Dikush kërkon që me zor të krijojë imazhin që dhe në PSD ka probleme dhe patjetër që mund të ketë probleme individësh si gjithandej, mund të shfrytezohen këto qejfmbetjet në thonjëza, apo skenare të vegjël për ta mbajtur PSD të mbërthyer si të thuash nga probleme dytësore. Por të gjitha këto nuk mund të çojne në fraksionime apo në çarje të partisë. Ato vetëm mund të bëjnë që individë të caktuar detyrimisht të dalin tepër në parti”./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego